Auditimi i Brendshëm

Mbi Profesionin e Auditimit të Brendshëm

Auditimi i brendshëm është një profesion dinamik dhe mjaft interesant pasi të jep mundësi të panumërta për t’u zhvilluar profesionalisht dhe për të dhënë një kontribut të dukshëm në të gjitha nivelet organizative. Audituesi i brendshëm luan rolin e një partneri të rëndësishëm që ndihmon organizatën përkatëse të përmbushë objektivat e saj duke sjellë një përqasje sistematike dhe të disiplinuar në vlerësimin dhe përmirësin e menaxhimit të riskut, kontrollit dhe proceseve të qeverisjes.

Profesionistët që veprojnë në fushën e auditimit të brendshëm kanë një kuptim të thellë të kulturës, sistemeve dhe proceseve  të biznesit. Kështu, ata mund të drejtojnë aktivitetin e auditimit të brendshëm të japë siguridhënien e duhur që:

  • Kontrollet e brendshme janë të mjaftueshme për të zvogëluar risqet;
  • Proceset e qeverisjes janë efektive dhe efiçente, si dhe;
  • Objektivat organizative janë arritur.

Për këtë, audituesve të brendshëm u duhet të vlerësojnë teknologji të reja; të shqyrtojnë çështje dhe problematika globale; të analizojnë risqe, kontrolle, dilema etike, cilësi dhe efiçencë; të japin sigurisiguridhënie që kontrollet ekzistuese janë të mjaftueshme për të zvogëluar risqet; të komunikojnë me qartësi dhe saktësi. Një diversitet i tillë u jep audituesve të brendshëm një perspektivë të gjerë mbi organizatën. Për më tepër, i bën ata të jenë një burim i vlefshëm për menaxhimin ekzekutiv dhe bordin drejtues duke i ndihmuar këta të fundit në përmbushjen e objektivave si dhe në forcimin e kontrolleve të brendshëm dhe qeverisjes organizative.

Kodi i Etikës së Auditimit të Brendshëm

Çdo profesion që kërkon të respektohet dhe të konsiderohet si i vlefshëm, ka nevojë për principe. Në profesionin e auditimit të brendshëm, sjellja etike nuk mund të ndahet nga sjellja profesionale.

Për audituesit e brendshëm, Kodi i Etikës do të thotë që çdokush duhet të vendosë integritetin e profesionit mbi interesin e tyre personal. Qëllimi i Kodit të Etikës është të inkurajojë një kulturë etike në profesionin e auditimit të brendshëm. Për shkak të rëndësisë që ka, Kodi i Etikës së IIA-s është një nga elementët e detyrueshëm të KPPN-së dhe përputhshmëria me këtë kod është shumë e rëndësishme për një zhvillim sa më të mirë të aktiviteteve të auditimit të brendshëm.

Kodi i  Etikës nuk duhet parë si një udhëzues i detajuar që trajton aktivitete specifike apo të gjithë dilemat e mundshme etike, por si një sërë kriteresh minimale për një sjellje profesionale. Integriteti dhe morali profesional i audituesve të brendshëm duhet të burojë nga vetë ata. Audituesit e brendshëm duhet të ndjekin Kodin e Etikës jo nga frika e masave ndëshkimore por sepse integriteti dhe etika duhet të përbëjnë themelet e jetës së tyre profesionale dhe personale. Në këtë mënyrë, edhe kur një sjellje e caktuar nuk përmendet në Kod, audituesit e brendshëm duhet të dinë të dallojnë një sjellje të papranueshme apo diskretituese.